Gjykata e Posaçme GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi.
Gjyqtarja Atalanta Zeqiri në vendimin e marrë në Dhomë Këshillimi vendosi të pranonte kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që Fredi Beleri të gjykohet në burg për akuzën e blerjes së votave.
Në përfundim të seancës avokati i Belerit e cilësoi vendimin si të pa bazuar në prova, pasi sipas tij Beleri nuk ka pasur asnjë kontakt me të infiltruarin e policisë.
Beleri do të vijojë të mbahet në ambientet e paraburgimit në Tiranë, ndërkohë që në pikëpyetje mbetet nëse ai do të mund ta marrë mandatin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Beleri së bashku me anëtarin e shtabit të tij elektoral, Pandeli Kokaveshi, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë pasi ndodhet në spital për shkak të gjendjes shëndetësore, akuzohen për shit-blerje votash.
Në fletën e arrestit të lëshuar ndaj Belerit theksohet se ai u ndalua në flagrancë duke blerë vota, ndërkohë që në dosjen e prokurorisë thuhet se blerja e votave është kryer nga Kokaveshi në ambientet e tualetit të një lokali në mesditë dhe jo në momentin e arrestimit. Votat sipas policisë iu blenë të infiltruarit të grupit hetimor. /Telegrafi/