Telegrafi

Jashari: Në rajonet e vërshuara do të dëmshpërblehen dëmet në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave nuk vlerëson se kanali që kalon nëpër Gazi Babë dhe Haraçinë të ketë qenë shkaktarë i katastrofës së ditës së shtunë të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Sekretari shtetëror në këtë ministri, Besir Jashari thekson se kjo ministri ka bërë pastrimin e kanalit ndërkaq nga Ministria për mjedis jetësor është kryer betonimi i të njëjtit kanal.

Edhe pse nuk dihen  faktorët e përmbytjeve që ndodhën tri ditë më parë, përveç sasisë së madhe të reshjeve që shënuan 93 litër në m2, megjithatë autoritetet duhet të rrinë më të përgatitur, thotë Jashari.

Nga kjo ministri sigurojnë se tashmë janë formuar komisionet që do të evidentojnë dëmet që bien në kompetencë të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas Jasharit, për momentin nuk mund të thuhet asgjë nëse janë shënuar dëme në prodhimet bujqësore, por pas vlerësimeve, qytetarët do të dëmshpërblehen.

“Sot janë formuar të gjitha komisionet tjera dhe janë nënshkruar nga ministri. 11  ekipet që do të punojnë, prej tyre 7 nga Ministria e Bujqësisë dhe 4 nga Agjencia për ushqim dhe Veterinari do ti bëjnë vlerësimet, derisa ekipet tona do të evidentojnë pjesën e bujqësisë, respektivisht pjesën për dëme të bujqësisë dhe të ngjashme”, është shprehur Jashari.

“Pasi të bëhen vlerësimet nga ekipet në terren, të dhënat do të dërgohen në byronë për ekspertizë gjyqësore për të vazhduar më tej për vlerësimin e kompensimeve” ka theksuar Jashari për mediat./Telegrafi/