Site icon Telegrafi

Jahte, aeroplanë privatë, prona luksoze dhe xhirollogari offshore – zbulohet pasuria mbi 17 miliardë dollarëshe e 35 oligarkëve të lidhur me Vladimir Putinin

Më shumë se 17 miliardë dollarë asete – përfshirë llogaritë bankare offshore, jahte, avionë privatë dhe prona luksoze në Londër, Toskanë [Itali] dhe Rivierën Franceze – është pasuria e zbuluar për 35 oligarkët dhe zyrtarët rusë që dyshohet se kanë lidhje të ngushta me Vladimir Putin.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, gjurmimi i aseteve është fokusuar në këta oligarkë dhe se ka prova që janë të lidhur me presidentin rus.

Organizata e liderit opozitar rus Alexei Navalny kishte paralajmëruar se të gjithë këta janë vendosur në listën “e zezë” të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë.

Emrat përfshijnë katër nga oligarkët më të pasur, krerët e kompanive të kontrolluara nga Kremlini, shefat e agjencive të spiunazhit, ministra, këshilltarë politikë dhe guvernatorët rajonalë.

Lexo po ashtu BE-ja miraton pakon e katërt të sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë – ndalohet importi i çelikut, hekurit dhe makinave

Gjurmuesi rus i Aseteve ka identifikuar prona ose parcela toke në Britani të Madhe – me vlerë prej më se gjysmë miliardë dollarë – që janë të lidhura përmes kompanive ose të afërmve të Roman Abramovich, Alisher Usmanov, Oleg Deripaska dhe Igor Shuvalov.

Hulumtimi i deritanishëm tregon se emrat që kanë lidhje me më shumë se 145 asete: 35 pallate luksoze, 43 apartamente dhe 27 pjesë të tjera të pasurive të paluajtshme. Shtatë jahte, 11 avionë dhe helikopterë privatë, me vlerë të përbashkët miliarda dollarësh.

Disa nga asetet janë në pronë publike – përfshirë rezidencën e Deripaskës në Sheshin Belgrave në qendër të Londrës si dhe superjahtet Dilbar, Lena dhe Amore Vero të lidhura me oligarkët Usmanov, Genadi, Timchenko dhe Igor Sechin.

Oligarkët rusë Roman Abramovich, Alisher Usmanov, Oleg Deripaska dhe Igor Shuvalov

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Thesarit pati theksuar se oligarkët e sanksionuar dhe elitat e fuqishme ruse kanë përdorur anëtarët e familjes për të “fshehur” pasuritë e tyre.

Shumë nga asetet më pak të njohura mbahen nëpërmjet kompanive offshore duke e bërë të vështirë gjurmimin e tyre. Të tjerat janë në pronësi të të afërmve ose bashkëpunëtorëve, duke ngritur pyetje në lidhje me burimin e fondeve të përdorura për blerjen e atyre pasurive. /Telegrafi/

Exit mobile version