Bashkimi Evropian ra dakord të ulë emetimet e dyoksidit të karbonit nga automjetet me 37.5 për qind e deri në vitin 2030.
Austria, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit Evropian, e bëri njoftimin vetëm dy ditë pas përfundimit të Samitit për Klimën i njohur si COP24 në Poloni. Marrëveshja e arritur është një kompromis midis vendeve prodhuese të automjeteve dhe ligjbërësve ekologjikë.
Blloku me 28 vende ka pasur ndasi për disa muaj mbi shkallën e rreptësisë për shkarkimet e dyoksidit të karbonit nga automjetet, si pjesë e objektivit shumë ambicioz për reduktimin e gazrave serrë me 40 për qind deri në vitin 2030.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Evropianë të Automjeteve (ACEA), Erik Jonnaert, tha se objektivat nuk janë realiste dhe mund të rrezikojnë vendet e punës, përcjell Telegrafi.
“Objektivi i tanishëm për reduktimin me 37.5 për qind të dyoksidit të karbonit propozuar nga ministrat e Mjedisit dhe Parlamenti Evropian do të jetë shumë ambicioz dhe jo realist bazuar në faktet që kemi sot. Mbi të gjitha, do të ketë një ndikim drastik tek punësimi sepse sa më të larta objektivat, aq më shpejt duhet të lëvizim për elektrifikimin e automjeteve në të ardhmen e afërt, e cila në mënyrë të pashmangshme do të thotë që ne duhet të riorganizojmë njësitë tona të prodhimit, fabrikat e vjetra. Të gjitha këto do të ndikojnë tek punësimi, sepse në parim nevojiten më pak njerëz për të prodhuar automjete elektrike në krahasim me automjetet që djegin karburant”, tha Jonnaert.
Një negociatë e veçantë pritet të enjten mes vendeve anëtare të BE-së për të diskutuar nëse objektivat për vitin 2030 janë detyruese dhe masën në të cilën duhet të ulen shkarkuesit e dëmshëm. /Telegrafi/