Bashkimi Evropian ka nevojë për një strategji të re për luftën në Ukrainë pasi sanksionet kundër Moskës nuk kanë funksionuar.
Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, mendon kryeministri hungarez Viktor Orban.
“Nevojitet një strategji e re e cila duhet të ketë në fokus bisedimet e paqes dhe hartimin e një propozimi të mirë paqeje… në vend që të fitojë luftën”, citohet të ketë thënë ai.
Orban, i cili u rizgjodh për një mandat të katërt radhazi në prill, përsëriti se Hungaria do të qëndronte jashtë luftës në Ukrainën fqinje.
Ai ka thënë më parë se Hungaria nuk është gjithashtu e gatshme të mbështesë embargot ose kufizimet e BE-së në importet e gazit rus pasi kjo do të godiste ekonominë e saj.
“Ne jemi ulur në një makinë që ka katër goma të shpuara: është absolutisht e qartë se lufta nuk mund të fitohet në këtë mënyrë”.
Ai pretendoi se Ukraina nuk do ta fitojë kurrë luftën në këtë mënyrë “thjesht sepse ushtria ruse ka dominim asimetrik”. /Telegrafi/