Izmir Zeqiri tash e tetë muaj po qeverisë Zubin Potokun nga fshati Çabër. Pas gjithë kësaj kohe ai po shprehet i bindur se së shpejti aktivitetin e tij do ta ushtroj nga ndërtesa kryesore e kësaj komune. Sipas Zeqirit, rrethanat tashmë kanë ndryshuar.
Që nga fundi i muajit maj, Izmir Zeqiri, do duhej të ishte në objektin të Komunës së Zubin Potok.
Ndonëse është kryetar, aktivitetet e tij ende po i vazhdon nga Zyra për Komunitete në Çabër.
Por, pavarësisht kësaj Zeqiri, shprehet i bindur se së shpejti, komunën e Zubin Potokut do ta udhëheqë nga objekti kryesor.
Qeverisjes nga Çabra, ai beson se i ka ardhur fundi, pasi kushtet në teren sipas tij tashmë kanë ndryshuar.
“Jemi konsoliduar pak a shumë me stafe teknike, jemi planifiku me e pa se si do të funksionojnë me staf teknik të gjitha zyret, kështu që së shpejti pritet që të funksionalizohet dhe normalizohet gjithçka sa i përket administrimit të komunës”, ka deklaruar zeqiri për RTV Dukagjinin.
Shumica e shërbimeve komunale, tashmë po kryhen në këtë objekt.
Kryetari Zeqiri tregon se shumica e qytetarëve që kërkojnë shërbime zyret komunale në Çabër, janë të komunitetit serb.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve tanimë veç e kuptojnë dhe e kanë kuptuar se janë të gatshëm që të integrohen në sistemin e Republikës së Kosovës, ashtu siç e kanë të drejtën mbi bazat ligjore si kategori kushtetuese për t’i shfrytëzuar të drejtat e veta. Kështu që tani për tani është një mirëkuptim edhe i shumicës së qytetarëve që një pjesë e madhe nuk kanë pasur informacion se çfarë u ofron Republika e Kosovës”
Përderisa Zeqiri është optimist se situata në teren është më pozitive, kështu duket se nuk mendojnë edhe disa organizata të shoqërisë civile serbe në veri.
Prej kohësh, ata po ankohen tek ndërkombëtarët për mënyrën se si po trajtohen serbët nga Qeveria e Kosovës.
Për këtë temë, ata patën një ballafaqim të nxehtë në Parlamentin Evropian, me disa përfaqësues të Republikës së Kosovës.
Ndër ta ishte Arbër Vokrri, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal
“Thonin se Republika e Kosovës e në veçanti qeveria aktuale është duke ua mohuar jo vetëm të drejtat politike, por edhe ato civile, është duke ua rrëmbyer pronat. është duke ndërtuar në mënyrë ilegale baza ushtarake gjithandej nëpër tokat e qytetarëve serbë”
Këtë grup të përfaqësuesve serbë, e kritikoi ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Megjithatë, kundër Bislimit reaguan menjëherë shtetet e QUINT-it, duke e konsideruar grupin si partner të besueshëm.