Telegrafi

Iu anulua performanca për shkak të alarmit për bombë në një klub në Prishtinë – reagon Yll Limani

Foto: Screenshot/Instagram

Artisti i njohur, Yll Limani, ka njoftuar se i është anuluar performanca në një klub nate në Prishtinë.

Kjo për shkak të një alarmi për bombë, gjersa policia me këtë rast zbrazi hapësirat e diskotekës duke kontrolluar gjithë vendin.

Këngëtari shqiptar ishte paraparë të këndonte për nder të festës së Flamurit (28 nëntor).

Foto: Screenshot/Instagram

“Sonte është festa më e madhe e krejt shqiptarëve. 28 Nëntori. Sonte kena pas me festu bashkë. Pikërisht sonte, pas një lajmërimi të rrejshëm për eksploziv, eventi është anuluar”, ka thënë Limani.

Ai tutje vazhdoi: “Po ndihem teper keq për krejt juve që keni rezervuar, e jeni bërë gati për me dalë, krejt kjo për shkak të ligësisë së njerëzve që kushedi se si shikojnë për të përfituar prej veprimeve të tilla”.

Foto: Screenshot/Instagram

Lajmin për Telegrafin ndryshe e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka thënë se policia rreth orës 00:10 ka pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në një lokal në Prishtinë.

Lexo po ashtu Alarm i rremë për bombë në një diskotekë në Prishtinë – dalin pamjet kur policia largon njerëzit

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast lajmërim apo kallëzim i rremë. /Telegrafi/

Foto: Screenshot/Instagram