Site icon Telegrafi

ISW: Automjetet e blinduara amerikane po e ndihmojnë Ukrainën të rikthejë territore

Automjetet luftarake të blinduara amerikane Stryker thuhet se po e ndihmojnë Ukrainën të luftojë forcat ruse në rajonin verilindor të Kharkivit.

Bëhet e ditur se forcat ukrainase së fundmi kanë rimarrë territorin pranë qytetit Vovchansk, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW).

Vovchansk ka qenë skena e luftimeve më të ashpra, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet e saj për të larguar forcat ukrainase nga kufiri me Belgorod Oblast, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, lufta ukrainase në atë zonë po udhëhiqet nga Brigada elitare e Sulmeve Ajrore 82, me mbështetjen e forcave speciale, si dhe autoblindave Strykers nga SHBA-ja.

Lexo po ashtu Ukraina po i dërgon gjeneralët në vijën e parë të frontit

Njësia 82 thuhet të jetë një nga më të furnizuarat, me rreth 150 autoblinda, duke përfshirë 90 Strykers dhe 14 tanke britanike.

Ajo u mbajt në rezervë deri në gusht të vitit 2023, kur edhe u dërgua në fushëbetejë në rajonin e Zaporizhzhias.

Sa i përket autoblindave amerikane, sipas prodhuesit General Dynamics, ato vijnë në 10 variante dhe mund të arrijnë një shpejtësi maksimale prej 100 km/h dhe një rreze lundrimi prej mbi 500 kilometra.

Ato u panë për herë të parë në veprim me ushtrinë amerikane gjatë operacionit Liria e Irakut, me ekipin luftarak të Brigadës së 3-të Stryker që mbërriti në Irak në vitin 2003. /Telegrafi/

Exit mobile version