Pep Guardiola e ka ngacmuar ish-kapitenin e Liverpoolit, Steven Gerrard, ndërkohë që po kërkohet heqja e titujve të Manchester Cityt.
Kampioni i Anglisë është përballur me akuza për shkelje të shumta të rregullave financiare dhe përballet me ndëshkime të shumta. Në mesin e tyre, ekziston edhe rreziku i heqjes së titujve.
Derisa klubi është duke këmbëngulur se janë të pafajshëm për të gjitha akuzat, Guardiola ka dalë në një konferencë për shtyp duke iu referuar momentit më famëkeq të Gerrard që në thelb ia “dhuroi” Cityt titullin e Ligës Premier në sezonin 2013/2014.
“Nuk e di nëse jemi përgjegjës për rrëshqitjen e Steven Gerrard? E dini atë situatën në Anfield? Nuk e kam dashur për shkak të respektit për Steven Gerrard, por a është faji ynë?”.
Derisa Liverpooli ishte shumë pranë titullit të Ligës Premier, në prill të vitit 2014, rrëshqitja e kapitenit të atëhershëm të Redsave i mundësoi Demba Ba ta zhbllokonte rezultatin për Chelsean, ndërsa Blutë e fituan me rezultat 2-0 atë takim.
Më pas, udhëtuan te Crystal Palace, ku e dorëzuan epërsinë prej tre golash për të barazuar 3-3 duke i mundësuar Cityt triumfin e titullit.
Guardiola ka thënë se momentet në futboll u takojnë atyre dhe nuk mund t’i merren titujt pavarësisht gjithçkaje.
“Ato momente na takojnë neve pavarësisht dënimit. Goli nga (Sergio) Aguero (2012), lapsusi nga Steven Gerrard në Anfield (2014). Ishte faji ynë?”.
“Liga Premier do të vendosë, por unë i di përpjekjet që kemi bërë, çfarë fituam dhe mënyrën se si e fituam atë. Nëse diçka ka ndodhur në 2009 ose 2010, nuk do të ndryshojë asnjë sekondë. Këto momente i kemi jetuar së bashku për vite me radhë”, është shprehur trajneri. /Telegrafi/