Telegrafi

Ishte dobësuar aq shumë nga mungesa e ushqimit dhe ujit, saqë nuk mund të vishte jelekun antiplumb – inteligjenca ukrainase sjell bisedën mes ushtarit rus dhe gruas së tij

Një ushtar rus ishte aq i dobësuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit, saqë nuk mund të vishte jelekun e tij antiplumb, thotë inteligjenca ukrainase

Një ushtar rus që luftonte në Ukrainë tha se ishte aq i dobët nga mungesa e ushqimit dhe ujit sa nuk mund të vishte jelekun e tij të rëndë antiplumb, sipas inteligjencës ukrainase.

Një video e asaj që duket të jetë një telefonatë e përgjuar u shpërnda nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës të enjten, përcjell Telegrafi.

Ajo tha se biseda ishte midis një ushtari rus të paidentifikuar dhe gruas së tij.

Lexo po ashtu Rusia ka humbur shumë të tillë - pamje të helikopterit Mi-8 të përfshirë nga zjarri, pasi u godit nga forcat ukrainase

“Nuk na kanë dhënë ushqim për tri javë”, i tha ushtari gruas së tij, sipas një përkthimi nga Kyiv Post. “Sot është tashmë dita e shtatë që kur na kanë sjellë ujë”.

Më pas, ushtari tregoi se ishte aq i dobët nga mungesa e të ushqyerit, saqë nuk mund të vishte më jelekun e tij të rëndë antiplumb.

“Dreq! Unë tashmë po heq jelekun tim antiplumb, nuk kam forcë ta vesh”, shtoi ai, sipas Kyiv Post.

Ushtari, thuhet në raport, u ankua gjithashtu se asnjë zyrtar rus nuk “brengoset fare”, duke shtuar se njësia e tij ka humbur rreth 100 burra “në pak ditë”.

“Sulmi dështoi… Të gjithë u vranë”, tha ai.

Lexo po ashtu Putin paralajmëron për një skenar "krejt të ndryshëm" nëse Perëndimi i bashkohet luftës në Ukrainë

Business Insider thotë se nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e audios.

Është e paqartë se ku po luftonte saktësisht ushtari, megjithëse Rusia ka pësuar humbje të mëdha në përpjekjet e saj për të pushtuar Avdiivka, një fshat kyç në rajonin juglindor të Donetskut të Ukrainës.

Sidoqoftë, telefonata duket se ofron një pasqyrë të re mbi moralin e ulët të vazhdueshëm në ushtrinë ruse, e cila ka qenë një problem që kur presidenti Vladimir Putin filloi një pushtim të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/