Një ushtar rus ishte aq i dobësuar nga mungesa e ushqimit dhe ujit, saqë nuk mund të vishte jelekun e tij antiplumb, thotë inteligjenca ukrainase
Një ushtar rus që luftonte në Ukrainë tha se ishte aq i dobët nga mungesa e ushqimit dhe ujit sa nuk mund të vishte jelekun e tij të rëndë antiplumb, sipas inteligjencës ukrainase.
Një video e asaj që duket të jetë një telefonatë e përgjuar u shpërnda nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës të enjten, përcjell Telegrafi.
Ajo tha se biseda ishte midis një ushtari rus të paidentifikuar dhe gruas së tij.
“Nuk na kanë dhënë ushqim për tri javë”, i tha ushtari gruas së tij, sipas një përkthimi nga Kyiv Post. “Sot është tashmë dita e shtatë që kur na kanë sjellë ujë”.
Më pas, ushtari tregoi se ishte aq i dobët nga mungesa e të ushqyerit, saqë nuk mund të vishte më jelekun e tij të rëndë antiplumb.
“Dreq! Unë tashmë po heq jelekun tim antiplumb, nuk kam forcë ta vesh”, shtoi ai, sipas Kyiv Post.
Ushtari, thuhet në raport, u ankua gjithashtu se asnjë zyrtar rus nuk “brengoset fare”, duke shtuar se njësia e tij ka humbur rreth 100 burra “në pak ditë”.
“Sulmi dështoi… Të gjithë u vranë”, tha ai.
Business Insider thotë se nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e audios.
Është e paqartë se ku po luftonte saktësisht ushtari, megjithëse Rusia ka pësuar humbje të mëdha në përpjekjet e saj për të pushtuar Avdiivka, një fshat kyç në rajonin juglindor të Donetskut të Ukrainës.
Sidoqoftë, telefonata duket se ofron një pasqyrë të re mbi moralin e ulët të vazhdueshëm në ushtrinë ruse, e cila ka qenë një problem që kur presidenti Vladimir Putin filloi një pushtim të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/