Ish-trajneri i Chelseat, Roberto Di Matteo, ka thënë se Frank Lampard është njeriu ideal për ta zëvendësuar Maurizio Sarrin, nëse ky i fundit kalon e Juventusi.
Trajneri italian pritet të largohet nga klubi londinez pas vetëm 12 muajsh në krye të skuadrës, ndërsa po përgatitet që të angazhohet te Zonja e Vjetër.
Trajneri historik që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2012 për herë të parë për Chelsean, ka thënë se Lampard është njeriu i duhur që ta marrë drejtimin e skuadrës, edhe pse ka pak përvojë.
“Përfundimisht është njeriu i duhur. Ai ka shumë personalitet”, ka thënë trajneri italian kur është pyetur për legjendën e të Kaltërve.
“Unë i kam shikuar disa ndeshje të Derbyt dhe skuadra e tij luan futboll të bukur. Edhe pse i ri, ai duket se ka fituar shumë eksperiencë”.
“Nëse është zgjedhje e mirë apo e gabuar, vetëm koha mund ta tregojë atë. Ju mund të thoni se është ende herët, por nuk është herët t’u jepni njerëzve një mundësi që ta tregojnë veten”, ka thënë me tej ish-trajneri i Chelseat. /Telegrafi/