Site icon Telegrafi

Ish-ministri Hasani: Për LDK-në e kam ditur që e largon taksën, por ti kryeministër Kurti mos u ngut!

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka komentuar qëndrimin e kryeministrit të  Kosovës, Albin Kurti, se taksa 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia duhet zëvendësuar me reciprocitet ekonomik, politik dhe tregtar.

Hasani ka thënë se “nëse ndonjëherë pas luftës Kosova ka treguar fuqi ndaj Serbisë, ajo ka qenë me vendosjen e masave mbrojtëse dhe taksa 100 % ndaj produkteve serbe”, duke shtuar se nuk beson që ndonjë qytetar i këtij vendi nuk është ndier mirë me fuqinë e treguar dhe ndikimin që ka pasur taksa, transmeton Telegrafi.

Ish-ministri ka pohuar se masat mbrojtëse, taksa 100 % dhe po ashtu vendosja e flamurit të origjinës në raftet ku ekspozohen mallrat kanë pasur ndikim të madh si financiar, por edhe e kanë edukuar qytetarin e Kosovës për të blerë prodhime vendi.

Lexo po ashtu Kurti: Me Serbinë do të ketë reciprocitet ekonomik dhe tregtar

Hasani në shkrimin e bërë në Facebook, ka shkruar se ende nuk ka ardhur koha për heqjen e kësaj takse.

Ai ka deklaruar se Serbisë duhet t’i shkaktohen edhe më shumë dëme ekonomike.

“Për LDK-në e kam ditur që e largon taksën lehtësisht, ama ti kryeministër Kurti mos u ngut sepse edhe vet shumë vite ke luftuar kundër mallrave me barkodin 860.Me taksë deri në njohje”, ka shkruar Hasani.

Ndryshe, gjatë ditës kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se taksën 100 për qind do ta zëvendësojnë me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar.

Ai është shprehur i bindur së për këtë do të marrë mbështetjen edhe të opozitës./Telegrafi/

Exit mobile version