Sulmuesi i Interit, Mauro Icardi thuhet se i është ofruar te Arsenalit si pjesë e marrëveshjes për transferimin e Pierre-Emerick Aubameyang.
Sipas gazetës italiane Tuttosport, Intero do ta përdor Icardin si karrem për të arritur te transferimi i yllit të Arsenalit.
Kapiteni i Topçinjve ka të mbetur pak më shumë se një vit në kontratën e tij në Emirates, dhe klubi londinez mund të detyrohet ta shesë atë në vend që të rrezikojë ta humbasë falas pas 12 muajve.
Kjo ka ngritur mundësinë e një marrëveshje shkëmbimi me Interin, i cili është i interesuar për një shkëmbim kokë më kokë me sulmuesin nga Gaboni.
Icardi nuk ka të ardhme te Interi dhe pavarësisht se ka bërë përshtypje gjatë huazimit te Paris Saint-Germain këtë sezon, ka dyshime se ai do të qëndrojë në Ligue 1 përgjithmonë.
27-vjeçari ka shënuar 20 gola në 31 paraqitje, ndërsa Aubameyang ka shënuar po aq gola, por në një ndeshje më shumë se argjentinasi.
Aubameyang është lidhur me një transferim te Barcelona, ndërsa Icardi pëlqehet nga Juventusi dhe Napoli. /Telegrafi/