Partia rumune pro-ruse “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” (AUR) mund të nisë së shpejti një seri provokimesh informative anti-ukrainase, sipas burimeve në inteligjencës ukrainase (HUR) që folën për Kyiv Post.
Këto burime tregojnë se qëllimi i një fushate të tillë dezinformuese është të portretizojë shtypjen e të drejtave rumune brenda Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Ata përmendin gjithashtu se zyrtarët e AUR-it aktualisht po kryejnë intervista me priftërinj nga fshatrat në rajonet e Chernivtsi, Zakarpattia dhe Odesa, ku banojnë një numër i konsiderueshëm rumunësh, si pjesë e përgatitjeve të tyre për operacionin propagandistik.
Për më tepër, propagandistët po anketojnë familjet e burrave që aktualisht shërbejnë në Forcat Mbrojtëse të Ukrainës.
“Ky operacion është pjesë e peizazhit të brendshëm politik rumun, por mund të ndikojë negativisht në imazhin e Ukrainës”, tha një zyrtar brenda shërbimeve speciale që foli për Kyiv Post në kushte anonimiteti.
“Kjo mund të përshkallëzojë situatën, duke çuar në bllokime tranziti dhe nxitje të ndjenjave të protestës”, shtoi burimi.
Sipas burimeve, një fushatë e ngjashme informuese është duke u zhvilluar nga përfaqësues të partisë bullgare “Rilindja” në rajonin e Odesës, duke synuar fshatrat e banuara kryesisht nga bullgarët.
Një burim brenda inteligjencës ukrainase beson se sinkronizimi i këtyre operacioneve speciale, sugjeron një koordinim të mundshëm nga Kremlini, që synon të ndërlikojë situatën gjeopolitike të Ukrainës.
Vitin e kaluar, Financial Times raportoi se partia e ekstremit të djathtë AUR, tani forca kryesore opozitare e vendit, kishte fituar popullaritet në Rumani.
FT vuri në dukje se AUR kapitalizoi në rritjen e ndjenjave anti-ukrainase dhe propagandën e dezinformimit, për të rritur mbështetjen e votuesve në rreth 20 përqind pas zgjedhjeve të 2019-ës. /Telegrafi/