Telegrafi

Inteligjenca ruse: Franca po përgatit 2000 trupa për t’i dërguar në Ukrainë

Drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin, ka thënë se Rusia ka informacione se Franca tashmë po përgatit një kontigjent ushtarak për t’u dërguar në Ukrainë.

Ai deklaroi se francezët fillimisht do të dërgojnë rreth 2000 trupa ndërsa numri mund të rritet.

Sipas Naryshkin, një njësi kaq e madhe nuk do të mund të transferohet në mënyrë diskrete, kështu që do të bëhet “një objektiv për ushtrinë ruse”, raporton themoscowtimes.

Lexo po ashtu Zelensky sërish thirrje për më shumë armë: Sistemet Patriot kryejnë punë – nuk janë dizajnuar të mbulohen nga pluhuri nëpër depo

Gazeta Le Monde botoi sot një shkrim autorial të gjeneralit Pierre Schille, shefi i shtabit të ushtrisë franceze, në të cilën ai deklaronte se Franca nuk është imune ndaj tensioneve që po shfaqen në mbarë botën dhe se vendi po përgatitet “për betejat më të vështira”.

Muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se nuk do ta përjashtonte idenë e dërgimit të trupave evropiane në Ukrainë – megjithëse ai paralajmëroi se “asnjë konsensus” nuk është rënë dakord mes aleatëve.

“Asgjë nuk duhet të përjashtohet”, shtoi ai, “ne do të bëjmë gjithçka që duhet në mënyrë që Rusia të mos fitojë”.

Ndryshe, Italia, Gjermania, SHBA-ja, NATO kanë kundërshtuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë. /Telegrafi/