Site icon Telegrafi

Instituti GAP: Zvogëlimi i numrit të ministrive do t’ia kursej buxhetit të Kosovës rreth 15.5 milionë euro

Buxhetit të Kosovës pritet t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro për një mandat qeverisës nëse do të realizohen premtimet e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zvogëlimin e numrit të ministrive në 12 sosh nga 21 që është aktualisht.

Sipas llogaritjeve të Institutit GAP, nga udhëzimet administrative 04/2008 dhe 01/2008 zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë dhe shefat e kabineteve, përveç pagës mujore gëzojnë edhe përfitime tjera shtesë, ku u mbulohet një shumë e caktuar për shpenzimet e drekave dhe telefonit. Nga shkurtimi i pozitave, shpenzimet për ushqim, karburante dhe telefoni do të reduktoheshin automatikisht për rreth 3.4 milionë euro në një mandat.

“Bazuar në premtimet elektorale, numri i zëvendëskryeministrave pritet të ulet nga pesë në dy. Ndërsa, nga shkurtimi i posteve ministrore nga 21 në 12, bazuar në premtimet e dy partive, zvogëlohet edhe numri i zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. VV dhe LDK kanë premtuar se do të emërojnë jo më shumë se dy zëvendësministra për ministri, që i bie nga 80+ sa kanë qenë në qeverinë e kaluar të mbeten maksimum 24 zëvendësministra. Me vetëm 12 ministri, numri i këshilltarëve për ministër/re sipas rregullores në fuqi do të jetë maksimum shtatë, duke përfshirë këtu edhe këshilltarin/en e lartë të ministrit/es. Ngjashëm, është premtuar që në qeverinë e ardhshme numri i këshilltarëve të kryeministrit/es do të jetë pesë, mirëpo për shkak që baza ligjore e plotësuar gjatë mandatit të kaluar lejon që kryeministri/ja të emërojë edhe këshilltarë nga nëntë komunitete në Kosovë, numri total i tyre pritet të mos kalojë 10”, thuhet në raportin e GAP, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Qeveria me 12 ministri, sfidë e madhe e pushtetit të ardhshëm

VV-LDK kanë premtuar se do të shuhen pozitat e koordinatorëve nacionalë, ku në qeverinë e kaluar ishin katër pozita të tilla me pagë të ngjashme si ajo e postit të ministrave. Ngjashëm, pritet që numri i këshilltarëve të zëvendëskryeministrave të mos jetë më i lartë se i atyre të kryeministrit/es, dhe që mund të ndodh që zëvendëskryeministrat të mbajnë dhe poste ministrore, me gjithsej 12 këshilltarë të tillë.

Duke marr të gjitha këto për bazë, instituti GAP vlerëson se në një mandat të plotë do të kursehen së paku 15.5 milionë euro në paga dhe shpenzime tjera që ndërlidhen me postet politike në qeveri. Përveç kursimeve, një qeveri më e vogël rrit edhe efikasitetin e koordinimin, shkurton kohën e marrjes së vendimeve, rrit besimin e qytetarëve, si dhe krijon adresa të qarta të përgjegjësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version