Site icon Telegrafi

Incidenti në Aeroportin e Shkupit thellon edhe më shumë hendekun mes Osmanit dhe Kurtit

Mosmarrëveshjet në mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti janë shpërfaqur tash e disa kohë, por ato janë thelluar edhe më shumë ditëve të fundit.

Vjosa Osmani rritjen e saj më të madhe politike e shënoi pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke themeluar listën Guxo me të cilën garoi në zgjedhjet e shkurtit 2021 brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje Osmani fitoi mbi 300 mijë vota dhe në prill të po atij viti, ajo u zgjodh presidente falë votave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Bashkëqeverisja e LVV-së me listën GUXO është duke funksionuar mirë edhe pas pothuaj katër vitesh në pushtet, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për raportet ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, shkruan Telegrafi.

Viti 2024 karakterizohet për një rivalitet dhe mosdurim të hapur mes tyre.

Kulmi i përkeqësimit të raporteve mes Osmanit dhe Kurtit arriti javën e kaluar (e enjte), kur presidentja e vendit u përball me një incident në Aeroportin e Shkupit, me rastin e udhëtimit të saj në Slloveni.

Pesë ditë pas këtij incidenti kryeministri Kurti qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Me këtë rast Kurti, duke folur për incidentin që i ka ndodhur presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit, ka thënë se ka qenë përvojë e rëndë që ka përjetuar Osmani.

Ai ka thënë se autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shtetit, kanë shprehur keqardhje për rastin dhe se do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti nga Shkupi, nuk i ka pëlqyer aspak presidentes Osmani.

Presidenca përmes një reagimi, të martën ka shprehur keqardhje se si është trajtuar incidenti nga konferenca që u mbajt ditën e hënë, nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, ka thënë Presidenca në reagimin e saj, raporton Telegrafi.

Lexo po ashtu Reagon Presidenca: Është për keqardhje se si u trajtua incidenti i Osmanit në konferencën e Kurtit dhe Mickoskit

Mirëpo, nuk është vetëm incidenti në Aeroportin e Shkupit, që do ta ketë zemëruar presidenten Osmani në raport me kryeministrin Kurti, i cili për rastin reagoi pas pesë ditësh nga Shkupi.

Kryeministri e ka injoruar presidenten javën që shkoi edhe duke mos i shkuar në takimin e thirrur për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Më 31 korrik, Osmani ka zhvilluar një takim me partitë parlamentare. Presidentja e Kosovës, më pas, në konferencën për media ajo tha se nuk e di arsyen e mosparaqitjes së Kurtit në takim dhe sugjeroi që gazetarët ta pyesin atë, pse nuk kishte shkuar.

Lexo po ashtu Kurti nuk i shkoi në takim, Osmani: Mund ta pyesni atë, besoj është në zyrën e tij

Ndërkohë, Kurti në rrjetet sociale ka shpërndarë informacione se më 31 korrik ka drekuar me disa ambasadorë me ftesë të shefit në largim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ky veprim i Kurtit po shihet edhe si përpjekje e tij që të paraqitet në publik si figura më e rëndësishme politike dhe për këtë mendohet se nuk iu përgjigj takimit të thirrur nga presidentja Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version