Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Mauro Icardi kërkohet nga tri nga klubet më të mira të Serie A.
Icardi, i cili ishte te Interi përpara se të bashkohej me PSG-në në një marrëveshje të përhershme vitin e kaluar, u kufizua në vetëm 20 paraqitje në Ligue 1 për klubin francez në 2020-21 për shkak të dëmtimeve.
Paraqitjet e tij jo të vazhdueshme kanë bërë që drejtuesit e klubit francez të mendojnë largimin e yllit argjentinas dhe të fitojnë para nga shitja e tij.
Klubet e interesuara për Icardin nuk mungojnë dhe ato kryesisht vijnë nga Serie A, aty ku argjentinasi shkëlqeu me Sampdorian dhe Interin.
Sipas mediumit Calciomercato, tri nga klubet më të mëdha italiane e duan transferimin e Icardit në afatin kalimtar të verës.
Juventusi, Milani dhe Roma janë të gjithë të interesuar për 28-vjeçarin, i cili mund të jetë në dispozicion për rreth 40 milionë euro këtë verë. /Telegrafi/