Site icon Telegrafi

Hungaria vendos veto ndaj rezolutës së KiE – nuk mbështetet formula e paqes e Ukrainës

Hungaria ka vënë veton ndaj një rezolute në Këshillin e Evropës për të njohur dhe mbështetur zyrtarisht formulën e paqes prej dhjetë pikash të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në një mesazh në Facebook, ministri i Jashtëm Hungarez, Peter Szijjarto tha se “plane të tjera” ishin propozuar nga të tjerë, por nuk po shqyrtoheshin nga Këshilli dhe se përjashtimi i Rusisë nga trupi nënkuptonte se negociatat e paqes nuk mund të funksiononin. Ministri nuk specifikoi se cilat plane të tjera i referohej.

Formula e paqes prej dhjetë pikash e Ukrainës, një plan i përshkruar për herë të parë nga Zelensky në vjeshtën e vitit 2022, përbëhet nga disa shtylla kryesore, njëra prej të cilave është tërheqja e plotë e trupave ruse nga territori i pushtuar ukrainas.

Rusia u tërhoq nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022 pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, dhe më pas u përjashtua zyrtarisht një ditë më vonë, transmeton Telegrafi.

“Në vend që të fantazojmë për luftën bërthamore, më në fund ne kemi nevojë për negociata reale të paqes”, shkroi Szijarto, duke shtuar se “negociatat e vërteta të paqes mund të zhvillohen vetëm nëse të gjitha palët ndërluftuese ulen rreth tryezës”.

“Sot, Këshilli donte të miratonte një rezolutë, në të cilën donte të njihte vetëm dhe ekskluzivisht planin e paqes të presidentit Zelenskyt si një formulë paqeje që do të shqyrtohej dhe mbështetej”, pohoi ai.

Szijarto tha se kishte kërkuar që këto plane të tjera të shqyrtoheshin, por kjo u refuzua nga shumica e anëtarëve të KiE.

“Kjo është arsyeja pse unë vura veton ndaj saj, kështu që nuk kishte asnjë rezolutë të Këshillit”, tha Sziijarto.

Plani alternativ më i dukshëm i paqes u propozua nga Ministria e Jashtme e Kinës, e cila publikoi një deklaratë prej 12 pikash në muajin shkurt të vitit 2023, duke përshkruar pozicionin e Pekinit për “zgjidhjen politike” të luftës në shkallë të plotë të Rusisë.

Shumë liderë perëndimorë e hodhën poshtë propozimin, duke theksuar se ai ka të ngjarë të funksionojë vetëm në favor të Rusisë. /Telegrafi/

Exit mobile version