Një samit jozyrtar i Bashkimit Evropian në Granada, Spanjë, u la në hije nga kryeministrat e Hungarisë dhe Polonisë, të cilët kundërshtuan seksionin e një deklarate të përbashkët që fokusohej te migrimi.
Rezultati i mbledhjes të së premtes anashkaloi çdo referencë për migrimin, një lëshim i dukshëm duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në ishullin italian të Lampedusa.
Kjo nuk është hera e parë që Viktor Orban dhe Mateusz Morawiecki kanë bashkuar forcat për të prishur një komunikatë të Këshillit Evropian, pasi e kanë bërë këtë në fund të muajit qershor, raporton euronews.
Të dyja rastet lidhen me Paktin e Ri për Migracionin dhe Azilin, reformë gjithëpërfshirëse e politikës së migracionit të bllokut që vendos një sistem “solidariteti të detyrueshëm” për të siguruar që 27 shtetet anëtare, pa përjashtim, të kontribuojnë në menaxhimin dhe pritjen e azilkërkuesve.
Pakti i Ri, i cili është në negociata, mori një nxitje të fortë të mërkurën pasi Këshilli i BE-së arriti pozicionin e shumëpritur për pjesën e pestë dhe të fundit të enigmës komplekse: Rregulloren e Krizës.
Legjislacioni u miratua sipas rregullave të shumicës së cilësuar, siç parashikohet në traktatet e BE-së, që do të thotë se as Polonia dhe as Hungaria nuk mund të ushtrojnë të drejtën e vetos.
“Ne nuk kemi frikë nga diktatet (…) nga Berlini dhe Brukseli”, tha Morawiecki pas mbërritjes, duke dënuar atë që ai e përshkroi si “dënime drakoniane”.
Viktor Orban shkoi më tej, duke krahasuar rregullat e shumicës së cilësuar me sulmin seksual.
“Nuk ka asnjë shans për të pasur asnjë lloj kompromisi dhe marrëveshjeje për migracionin. Politikisht, është e pamundur. Jo sot, por në përgjithësi, për vitet e ardhshme. Sepse ligjërisht jemi, si ta themi, jemi të dhunuar”, tha Orban para gazetarëve në mëngjes, me një buzëqeshje në fytyrë.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjithashtu foli në konferencën për shtyp, u shfaq optimiste dhe tha se Pakti i Ri ishte “në rrugën e tij”.
Qëllimi i përbashkët i bllokut është të përfundojë negociatat për Paktin e Ri, i cili u prezantua për herë të parë në muajin shtator të vitit 2020, përpara zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian, të planifikuara të mbahen në fillim të qershorit të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/