Telegrafi

Hungarezët zemërojnë përsëri ukrainasit, qeveria publikoi një video në të cilën Krimea shfaqej si pjesë e Rusisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës e qortoi qeverinë hungareze për një video të publikuar më 30 maj, që tregon një hartë të Ukrainës pa Krimenë.

Videoja prej 30 sekondash bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa tregon një shpërthim mbi një hartë të Ukrainës në të cilën mungon Krimea.

Në anë tjetër, Hungaria nuk e njohu aneksimin rus të gadishullit në vitin 2014, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Zelensky sqaroi se çfarë duhet të bëjë Rusia, për një zgjidhje "diplomatike" të luftës në Ukrainë

“Identifikimi i Gadishullit të Krimesë si një territor që nuk është pjesë e Ukrainës, bie ndesh me qëndrimin e përsëritur të Budapestit në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Ministria i bëri thirrje Budapestit të ndalojë konfirmimin e pozicioneve ruse dhe të respektojë detyrimet ndërkombëtare të Hungarisë si anëtare e OKB-së, BE-së dhe NATO-s.

Kujtojmë se Hungaria ka refuzuar të dorëzojë ndonjë pajisje ushtarake në Ukrainën fqinje, që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar. Përveç kësaj, hungarezët kanë kritikuar vazhdimisht sanksionet kundër Rusisë. /Telegrafi/