Mats Hummels ka thënë se Lionel Messi është futbollisti më i mirë që ka parë ndonjëherë pasi superylli i Barcelonës shkëlqeu ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Messi shënoi një herë dhe asistoi dy gola tjerë në fitoren e Barcelonës 3-1 ndaj Dortmundit, e cila ia siguroi kalimin në fazën tjetër.
Ishte një paraqitje e paharrueshme e Barçës në paraqitjen e 700-të për Messin, i cili asistoi te Luis Suarez për golin hapës të minutës së 29-të para se shoku i tij i skuadrës t’i kthehej favorizimin katër minuta më vonë për golin e 2-0.
Fituesi i pesëfishtë i Topit të Artë, Messi, më pas asistoi tek Antoine Griezmann për 3-0 dhe paraqitja e argjentinasit u vlerësua lartë nga Hummels.
“Në formën më të lartë, Messi është futbollisti më i mirë që kam parë”, ka thënë fillimisht Hummels.
“Ne nuk ishim aq të mirë sa ta mundim Barcelonën sot. Ne krijuam vetëm tre ose katër shanse reale”
“Nuk ishte një lojë e keqe, por jo edhe një lojë shumë e mirë. Barcelona ishte e shkëlqyeshme. Messi është gjithmonë i rrezikshëm, natyrisht”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/