Para meçit kundër Joseph Parkerit, Anthony Joshua është dashur që të humbë në peshë. Në matjet e fundit para duelit, ai peshonte diçka më shumë se 109 kilogramë që është edhe pesha e tij më e lehtë që nga viti 2014.
Pos përgatitjeve dhe anës teknike, dueli ndërmjet boksierit britanik dhe atij nga Zelanda e Re është përmendur edhe si çështje e peshës së dy boksierëve, pasi secili prej tyre dëshironte të ishte më i hollë dhe më i shpejtë.
Në duelin ndaj Carlos Takam, Joshua kishte shënuar peshën e tij më të rëndë (rreth 115 kilogramë), prandaj është dashur të angazhohej shumë për të rënë në peshë, por njëkohësisht për ta ruajtur fuqinë muskulore.
Përparësitë e humbjes në peshë
Në duelin ndaj Wladimir Klitschkos, Joshua kishte nevojë edhe për fuqi edhe për shpejtësi, ndërkohë që veçoria e Parker është shpejtësia dhe qëndrueshmëria.
Ndërkaq, edhe kundërshtari tjetër i mundshëm, Deontay Wilder, është duke humbur në peshë gradualisht duke i dhënë përparësi shpejtësisë goditëse.
Prandaj, edhe për Joshuan është njësoj – nëse peshon më pak, lëviz më shpejtë, jep më shumë goditje dhe do të ndjejë më shumë lehtësi në qëndrimin e tij.
Mangësitë e humbjes në peshë
28-vjeçari është paksa i shqetësuar se fuqia e tij mund të zvogëlohet pas humbjes në peshë. Në përgjithësi, Joshua është shumë më i fuqishëm se kundërshtarët e tij dhe i mbizotëron pa kaluar gjysma e raundeve, dhe pastaj ua jep goditjet finale.
Kjo ka të bëjë me fuqinë e tij goditëse dhe dëmet që ua shkakton rivalëve. Për këtë arsye, ai nuk ka dashur të rrezikojë shumë në zvogëlimin e fuqisë përmes humbjes në peshë.
Dieta
Kemi raportuar se brenda një dite, Joshua konsumon shumë kalori, mirëpo para duelit ndaj Parker, 28-vjeçari ka qenë shumë i disiplinuar. Ai nuk e ka reduktuar sasinë e ushqimit të konsumuar, por ka qëndruar më gjatë në stërvitje duke djegur shumicën e kalorive që i ka marrë me ushqim.
Në një ditë me stërvitje, britaniku konsumon rreth 5.000 kalori në ditë (që është dy herë më shumë se konsumimi i një njeriu të zakonshëm). Por, në stërvitje i ka djegur 2.000 kalori.
Ndryshimet e vogla në dietë
Mëngjesi: Fruta të freskëta, drithëra të tretur, jogurt, qumësht, 4/5 vezë, perime.
Para ushtrimeve: Pije me elektrolite
Pas ushtrimeve: Pije me proteina, sallatë/pasta
Drekë: Gjokse pule, perime, patate, jogurt dhe mjaltë
Darka: Fetë mishi, pasta/oriz/kuinoa, perime, akullore pemësh ose jogurt pemësh
Komenti i Joshuas në lidhje me rutinën stërvitore dhe të ushqyerjes
Joshua ka refuzuar që t’i japë shumë rëndësi figurës trupore para duelit ndaj Parker, përkundër se këtë ia ka kërkuar stafi i tij trajnues. Megjithatë, ai ka pranuar se e ka ndryshuar rutinën ushqyese dhe stërvitore.
“Kam kujdes se çfarë ha, vrapoj më shumë dhe ushtroj më tepër në krahasim me vitin e kaluar. Mendoj se tendosja është e rëndësishme. Sepse duke qenë i madh mund të shkaktoj tendosje”.
“Tash përpiqem për më shumë tendosje për ta mbajtur trupin më të lirë. Nuk ha shumë meze, gjë të cilën kampionët e peshave të rënda mund ta bëjnë”, kanë fjalët e Joshuas në lidhje me ndryshimet në rutinën e tij, të cilat i ka bërë para duelit ndaj boksierit nga Zelanda e Re.
Stërvitjet nën ujë, joga dhe ushtrimet tjera
Joshua u ka dhënë rëndësi stërvitjeve nën ujë duke marrë shembull legjendën Muhammed Ali, i cili ka bërë stërvitje të tilla.
Po ashtu, joga është ndër ushtrimet që ka preferuar të bëjë 28-vjeçari gjatë përgatitjeve të tij.
Ai ka bërë edhe shumë stërvitje të tjera për të gjetur baraspeshën ndërmjet ndërtimit fizik trupor, fitimit të kondicionit dhe humbjes në peshë. /Telegrafi/