Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës me 10 gusht të këtij viti ka marrë vendim për shpërndarjen e më shumë se 1 milion 80 mijë eurove për disa projekte nëpër komuna të Kosovës.
Ndër shtatë komunat e përzgjedhura për investime, katër prej tyre janë të qeverisura nga LVV, derisa tri të tjera nga LDK.
Hoxha përmes një shënimi në Facebook thotë se Kurti po iu hakmerret qytetarëve të Kosovës që nuk e votuan në zgjedhjet e fundit lokale.
“Kryeministri KURTI është hakmarrës i të gjithë qytetarëve që nuk mendojnë si ai. Gati se të gjitha komunave që nuk qeverisen nga LVV nuk u ndahet buxhet nga Qeveria KURTI”, ka shkruar deputetja e PDK-së.
Ajo thotë se Kurti nuk po i ndanë paratë e tija por të shtetit.
“Është mirë me i’a kujtu KRYEMINISTRIT KURTI që nuk është t’u i nda parat e LVV-së por të shtetit të Kosovës”.
Edhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti kishte ironizuar me këtë vendim të qeverisë.
“Nga 7 komuna që kanë fituar projekte nga Ministria e Pushtetit Lokal, 4 janë nga VV.
Në nivel nacional, VV qeveris në 4 komuna prej 38 sa janë. Por të gjitha kanë arritur të fitojnë projekte nga Qeveria. Çfarë fati!”, ka shkruar Hoti./Telegrafi/