Rritjen e pagave nga Qeveria për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar e ka kritikuar ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se forma të cilën e ka zgjedhur kryeministri Ramush Haradinaj për t’i rritur pagat është e keqe edhe jo e drejtë.
Ai thotë se Qeveria e kaluar e ka bërë me ligj që rritja e pagave të bëhet aq sa është edhe rritja ekonomike.
“Në Qeverinë e kaluar e kemi rregulluar këtë çështje me ligjin për menaxhimin e financave publike, aty thuhet se fatura e pagave në sektorin publik, në baza vjetore rritet aq sa është rritja ekonomik. Pra aq sa rritet buxheti në baza vjetore, në mënyrë që të hiqet ndikimi politik në vendimmarrje për rritjen e pagave. Në të kaluarën me financa publike është bërë fushatë për vota si rezultat në vitin 2016 e kemi rregulluar më ligj, pagat rriten çdo vit aq sa ka rritje ekonomike”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi për rritje të pagave është jo ligjor.
“Ky vendim i Qeverisë për rritje të pagave është jo ligjor dhe jokushtetues, jam habitur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi bie ndesh me ligjin për financa publike dhe me ligjin vjetor të buxhetit te vitit 2018. Pa asnjë dyshim, rritje e pagave është bërë për përfitime personale, vendimi prek kryeministrin dhe vartësit e tij, është konflikt i hapur interesi. Madje e ka bërë të qartë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit”, thekson ai.
Sipas tij, vendimi për rritjen e pagave mund të ketë kosto deri në 25 milionë euro brenda një viti.
“Vendimi nuk ndalet vetëm tek zyrtarët e Qeverisë, sepse disa ligje janë të ndërlidhura, krejt sistemi prokurorial dhe gjyqësor përfiton nga ky vendim. Kostoja vjetore mund të shkojë 20 ose 25 milionë euro për vit”, ka thënë ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Qeveria e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj sipas tij, është duke shkelur ligjin pasi që nuk është duke e zbatuar rritjen e pagës bazë prej 0.5 për qind, nga 1 prilli i këtij viti.
“Në Qeverinë e kaluar ne patëm filluar zbatimin e nenit të ligjit të shërbyesit civil, ku thuhet që në baza vjetore paga e shërbyesve civil rritet me 0.5 për qind të pagës bazë, për shkak të përvojës së punës. Këtë vit nuk është zbatuar kjo. Qeveria e ka shkelur ligjin, nga data 1 prill i këtij viti pagat do të duhej të rriten për 0.5 për qind për ta zbatuar atë nenë të atij ligji”, ka thënë Avdullah Hoti. /Telegrafi/