Site icon Telegrafi

Hoti: Rruga pa krye e Kurtit nuk ka të ndalur

Zëvendëskryeministri i shkarkuar, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se ka dëmtuar interesat e shtetit të Kosovës duke vendosur për heqjen e taksës pa fituar asgjë si kundërshpërblim.

Hoti përmes një postimi në Facebook, veprimin e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit e ka quajtur një veprim të njëanshëm me të cilin vendi ynë humb shansin që heqjen e taksës ta përkthejë në mbështetje për Kosovën dhe presion mbi Serbinë nga aleatët tanë.

Ai kërkon që të krijohet urgjentisht qeveria e re e Kosovës mbi parimet kushtetuese.

Postimi i plotë i Hotit:

“Rruga pa krye e z.Kurti nuk ka të ndalur. Aleatët tanë na kanë kërkuar tërë kohën që të besojmë në ta dhe në planin e tyre, duke hequr taksën pa kushte, në mënyrë që ta detyronin Serbinë të ndalonte fushatën kundër Kosovës, dhe atë në mënyrë të verifikueshme.

Aleatët tanë kërkonin kohë që të detyronin Serbinë të hiqte pengesat për lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave me Kosovën. Nëse këto pengesa nuk do të hiqeshin, atëherë aleatët do të mbështesnin Kosovën në vendosjen e masave të reciprocitetit.

Qasja konspirative nuk e la z. Kurti të gjykojë arsyeshëm në këto kërkesa të aleatëve tanë, duke dëmtuar kështu partneritetin tonë me ta, që detyrimisht qoi në shkarkimin e tij.

Tani, me këto veprime të njëanshme të Qeverisë së shkarkuar, Kosova e ka humbur shansin që heqjen e taksës ta përkthejë në mbështetje për Kosovën dhe presion mbi Serbinë nga aleatët tanë.

Është tepër e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re të zgjedhur mbi parimet kushtetuese, që është e përgjegj shme karshi proceseve shtet-ndërtuese dhe besimplote karshi aleatëve tanë“, ka shkruar Hoti.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version