Site icon Telegrafi

Hoti i quan Kurtin e Osmanin hipokritë mashtrues – thotë se koordinimi me SHBA-të asnjëherë nuk është i dëmshëm për Kosovën

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Avdullah Hoti

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka kujtuar momentin kur në shtator të 2020 në Shtëpinë e Bardhë mori njohjen nga Izraeli.

“Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se pas kësaj opozita e atëhershme e kishte akuzuar për tradhti, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani “nxori vrer dhe urrejtje patalogjike”.

“U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i LDK-së më tej ka theksuar se “vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”.

“Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri”, ka shkruar Hoti.

Hoti shprehet se “presidentja nuk ka pasur zgjidhje”.

“Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:  Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka shkruar Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version