Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Hoti përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se i është mirënjohës të gjithë atyre që planifikuan dhe zbatuan këtë operacion.
“U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, nëpërmejt një komunikate për media, ka sqaruar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale. /Telegrafi/