Ish-kryeministri dhe njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar vendimin e Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për muajin prill për pensionistët, punëtorët e sektorit privat e publik dhe studentët.
Me anë të një reagimi në Facebook, Hoti ka theksuar se ky vendim reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve.
“Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi”, ka shkruar Hoti.
Mes tjerash, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë masa afatgjate.
“Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë. Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike. Duhet të rriten subvencionet në bujqësi. Duhet të rritet paga minimale. Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”, përfundon ai. /Telegrafi/