Telegrafi

Hoti: Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti 2021, e kam diskutuar me grupet parlamentare për votimin e tij

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka kërkuar që të mos shpërndahet Kuvendi i Kosovë pa u miratuar buxheti i vitit 2021.

Hoti me anë të një konference për medie, ka thënë se, ka diskutuar me të gjitha grupet parlamentare që të organizohet seanca për miratimin e buxhetit.

“Para e kemi një punë të rëndësishme si buxheti për vitin 2021. Të mos shpërndahet Kuvendi pa e votuar buxhetin. E kam diskutuar me grupet e parlamentare me telefon që të votohet buxheti dhe ka gatishmëri. Tani ka procedura që duhet ndjekur në Kuvend për të organizuar kjo seancë”, tha Hoti.

Po ashtu, ai në një takim virtual me përfaqësuesit e biznesit ka thënë se, janë pajtuar që buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19.

Lexo po ashtu Hoti: Mirëpres vendimin e Kushtetueses, Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021

Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka kërkuar që së pari të votohet buxheti për vitin 2021, pastaj të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Praktikat e deritanishme të zgjedhjeve kanë treguar se mund të kemi vonesa në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, po që se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen në fillim të vitit 2021. Kjo për faktin se ka shumë gjasa që vendi të mbetet pa këto Institucione në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe si kanë treguar zgjedhjet e fundit këto vonesa mund të marrin edhe disa muaj shtesë përtej tremujorit të parë të vitit 2021”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ndarjet buxhetore në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021, nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji.

Lexo po ashtu ​Bizneset kërkojnë që Kuvendi të mos shpërndahet para miratimit të buxhetit 2021

Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. /Telegrafi/