Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se marrëveshja e Washingtonit është shumë e rëndësishme për Kosovën
Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti për kundërshtimin që i kishte bërë në kohën kur ishte nënshkruar kjo marrëveshje.
“Kjo marrëveshje është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare atëherë me argumente të paqëndrueshme, me motive politike jo fisnike thjesht për të rritur militantizmin e verbër politik të përkrahësve të tyre. Një pjesë e asaj opozite tash është në qeveri dhe duke qene në qeveri ne presim që të tregohet maturi më e madhe politike karshi çështjeve të rëndësisë shtetërore”, ka thënë Hoti.
Hoti ka kërkuar nga Qeveria që të deklarohet nëse kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e Kosovës, pas pranimit të studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, shkruan Telegrafi.
“Dje Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ka qenë absurde atëherë të deklarohet se kjo marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë cenon sovranitetin e Kosovës. Unë pres deklarim të qartë nga Qeveria në pyetjen se a e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fezibilitetit për Liqenin e Ujmanit e përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ish-kryeministri thekoi se do të ishte e udhës që të bëhej një kërkim falje nga Qeveria Kurti.
“E udhës do të ishte të kërkohej falje, ju pata thënë atëherë të mos nguten por edhe tash ju them. Administrata e presidentit amerikan e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje. Këta që janë në qeveri i ftoj që të kujdesen për realizimin e projekteve të kësaj marrëveshje, ndryshe ju garantoj se nuk e kanë gjatë në qeveri sikurse nuk e kanë pasur vitin e kaluar”, u shpreh Hoti.
Ai shtoi se do të kërkojnë debat parlamentar lidhur me veprimet e Qeverisë sa i përket realizimit të kësaj marrëveshje. /Telegrafi/