I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka zhvilluar të hënën një takim në Bratisllavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Pas takimit, Lajçak ka njoftuar se me Bislimin kanë rënë dakord për hapat e parë drejt de-përshkallëzimit të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.
E lidhur me këtë ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka kritikuar Qeverinë duke thënë se “Uashingtonin e Brukselin i kanë zëvendësuar me Ohrin e Bratisllavën”.
“Shkojnë në Bratisllavë e merren vesh për shtensionim të situatës, por askush nuk di gjë se çfarë janë marrë vesh. Uashingtonin e Brukselin i kanë zëvendësuar me Ohrin e Bratisllavën. Kjo është politikë se jo mahi”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se duke mos përfillur këshillat e aleatëve, Kosova po bie në kurthin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq “që për qëllim ka tensionimin e situatës në veri”.
“Kryetarët e zgjedhur me 2% i fusin në zyrë me polici dhe i mbajnë të ngujuar. Nuk i përfillin kërkesat e aleatëve kur u vijnë për vizitë në Prishtinë dhe u kërkojnë zgjedhje të reja në ato komuna pa kushte nga asnjëra palë”, ka përfunduar deputeti opozitar./Telegrafi/