Telegrafi

Hoti: Kosova ka kaluar kohën e “gjakderdhjes” – problemet do të zgjidhen me mjete politike

Ish zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka kaluar kohën e “gjakderdhjes”, që u përmend sëfundi nga akterë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këto ditë është përmendur shpesh fjala “gjakderdhje” nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike. Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër”, ka thënë Hoti.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti ka theksuar se të gjitha çështjet e Kosovës do të zgjidhen me mjete politike.

“Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese. Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantik”, shprehet ai.

Lexo po ashtu Kurti: Ka politikanë në Prishtinë që duan gjakderdhje për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial dhe ndarja e Kosovës

Sipas tij, ka ende politikanë në Kosovë që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje”.

“Por, për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, ka thënë se ka politikanë në Kosovë që duan konflikt për të çuar përpara idenë e shkëmbimit territorial me Serbinë, duke përmendur edh gjakderdhjen.

“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial, sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti./Telegrafi/