Telegrafi

Hoti falënderon eurodeputetët për letrën, që i dërguan Merkelit

Kryeministri Avdullah Hoti, ka falënderuar deputetët e Parlamentit Evropian për letrën që i dërguan kancelares Angela Merkel për futjen e liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit Evropian, transmeton Klan Kosova.

“Faleminderit deputetëve të Parlamentit Evropian për letrën drejtuar Kancelares Merkel, ku i kërkojnë që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të vihet në agjendë gjatë Presidencës së BE-së nga Gjermania që fillon më 1 korrik 2020”, ka thënë Hoti në rrjetin social Facebook.

Të njëjtën gjë, kryeministri e ka thënë edhe në konferencën e mbajtur për media sot pas kthimit të tij në Kosovë, me ç’rast pas pyetjeve të gazetarëve tha se nuk mund të japë datë se kur do të ndodhë liberalizimi pasi që kjo nuk varet nga Kosova.

Në të njëjtën konferencë, Hoti po ashtu ka thënë se ka disa shtete me të cilat duhet të punohet më shumë në mënyrë që të votojnë pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Deputët e Parlamentit Evropian kanë nënshkruar një letër përmes të cilës kanë kërkuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel të vendosë në agjendë të Këshillit Evropian çështjen e libëralizimit të vizave për Kosovën.

Lexo po ashtu Eurodeputetët kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën brenda vitit 2020

Kështu kanë bërë të ditur Drejtori Ekzekutiv i Institutit EPIK Demush Shasha dhe eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk, i cili ka bashkëngjitur edhe dokumentin me nënshkrimet e deputetëve. /Telegrafi/