Holanda mund të dërgojë aeroplanë luftarakë F-16 në Ukrainë nëse Kievi e kërkon këtë, raportojnë mediat holandeze.
Gjatë një debati parlamentar të enjten, Ministri i Punëve të Jashtme, Wopke Hoekstra tha se kabineti qeveritar do ta shikonte një kërkesë të tillë me një “mendje të hapur”.
Holanda, një anëtare e NATO-s, është gjithashtu e gatshme të dhurojë para për blerjen e tankeve Leopard 2 që vendet e tjera do t’i dërgojnë në Ukrainë, tha ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren.
Furnizimi me aeroplanë F-16 do të ishte një hap i madh në ndihmën e dhënë Ukrainës dhe gjithashtu ka shumë të ngjarë të kërkonte trajnim për pilotët ukrainas, të cilët janë mësuar të fluturojnë me aeroplanë luftarakë sovjetikë MiG-29.
Ndërkohë, Polonia ka shprehur dëshirën që t’i ndihmojë forcat ukrainase me tanke të fuqishme gjermane, Leopard, raporton skynews.
Ndryshe, SHBA-ja sot ka ndarë edhe një fond prej 2.5 miliardë dollarësh për blerjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën. /Telegrafi/