Telegrafi

Hjuston, kemi një problem: “Dokumentari” që pretendon se Tito i dërgoi amerikanët në Hënë! (Video)

Më poshtë mund të shihni dokumentarin, apo mokumentarin “Houston, We Have a Problem”, të regjisorit slloven Zhiga Virc, i cili pretendon se pasi SHBA-të ishin prapa në garën hapësinore në krahasim me Bashkimin Sovjetik, vendosën që të blejnë programin hapësinor jugosllav më 1961.

Sipas filmit, origjina e programit hapësinor jugosllav bazohej në shkrimet dhe punimet e sllovenit Herman Potoçnikut, një nga pionierët e astronautikës, libri i të cilit nga viti 1929 “Problem Voznje po Vesolju” (Problemi i udhëtimit në Hapësirë) ishte inspirim për Wernher von Braumin, ish-nazistin dhe arkitektin e programit hapësinor amerikan, transmeton Telegrafi.

Ky realizim pretendon se Tito ka ndërtuar qendrën më të madhe sekrete hapësinore në Evropë, në Zhelazë të kufirit kroat-boshnjak (Baza Ushtarake 505).

Duhet cekur se gjithçka këtu bazohet në një mit për shitje të programit për 50 miliardë dollarë (vlerë e sotme), me të cilat thuhet se zhvillohet ekonomikisht Jugosllavia, porse kjo marrëveshje gjoja do të jetë mollë sherri i hakmarrjes së mëvonshme amerikane me shkatërrimin e Jugosllavisë. Mu për këtë, pra për faktin se gjithçka bazohet më shumë në thashetheme, “Houston, We Have a Problem” (“Hjuston, kemi një problem”, frazë e përdorur gjatë misionit Apollo 13) hyn në kategorinë e dokufiksionit.

“Dokumentarin” e plotë, me përkthim dhe titra në serbokroatisht, mund ta shihni të plotë më psohtë. /Telegrafi/