Gonzalo Higuain nuk do të befasohej nëse Lautaro Martinez largohet nga Interi këtë verë, pasi sipas tij është e vështirë të thuash ‘jo’ kur Barcelona dhe Lionel Messi të telefonojnë.
Futbollisti i Juventusit foli me mediumin Libero për formën e tanishme të sulmuesve argjentinas në Evropë, kështu që natyrisht diskutimi u zhvendos tek sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez.
Higuain foli fjalë të mëdha për yllin e Interit, ndërsa shtoi se do ta ketë të vështirë të refuzojë Barcelonën dhe të mbetet në Serie A.
“Është një situatë e komplikuar, si për shembull kur isha 18 vjeç dhe Real Madrid erdhi duke më kërkuar, nuk thashë ‘jo faleminderit’. Ju thjesht nuk e dini se çfarë mund të ndodhë”, ka thënë fillimisht Higuain.
“Natyrisht, nuk dua të krijoj ndonjë polemikë, por është e vështirë të thuash ‘jo’ kur Barcelona dhe Messi të telefonojnë. Nuk do të doja të isha në këpucët e tij tani”.
“Lautaro është në ngritje, kjo është pjesa më emocionuese e karrierës së tij, ai tashmë është pjesë e një ekipi të madh si Interi pavarësisht se është kaq i ri”.
“Ai tashmë ka luajtur në Copa America, duke shënuar gola, dhe pa dyshim ka atë që duhet për t’u bërë numri 9 kryesor i Argjentinës”.
“Duke thënë këtë, gjithçka varet nga ai. Ne duhet të shohim se si ai reagon ndaj kritikës dhe forcës së mentalitetit të tij”, përfundoi sulmuesi i Juves. /Telegrafi/