Telegrafi

“Heronjtë e veriut të poshtëruar nga një Qeveri” – opozita reagon pas protestës së njësitit FIT, kërkojnë nga Kurti t’ua plotësoj kërkesat

Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues të njohur si FIT, i cili është njësiti më më elitar i Policisë së Kosovës, sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me propozimin e Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë.

Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësive, është thënë se premtimet e Qeverive ndaj tyre nuk janë realizuar “që mbi 10 vjet”.

Lexo po ashtu "Mos luani me dinjitetin tonë" - protesta e FIT-it para Qeverisë, këto janë kërkesat e Njësitit elitar të Policisë

“I dini kërcënimet dhe rreziqet që bartin këto dy njësi gjatë gjithë kohës. Mos luani me dinjitetin tonë. Mos luani me ndjenjat e familjeve tona”, ka thënë ai para mediave.

E pas kësaj proteste kanë reaguar edhe liderët e partive opozitare në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se fotografitë nga protestat e FIT-it nuk është dashur t’i shohim kurrë.

“E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta”, shkruan ai.

Sipas tij, përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar në Facebook se kjo është trishtim dhe dëshpërim.

“Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar Abdixhiku.

Reagim ka pasur edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të respektojë kërkesat e Policisë së Kosovës.

“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”,ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/