Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se do të vazhdojnë kundërshtimin në forma të ndryshme demarkacionin me Malin e Zi, duke lënë gazin lotsjellës mjet potencial kundërshtimi brenda kuvendit.
Haxhiu ka folur për vendosjen e tabelës treguese në kufirin, që VV pretendon se është aty, ndërsa Mali i Zi thotë se ajo pjesë është pjesë e territorit të tyre, duke shtuar se do të vazhdojnë të vendosin edhe herëve tjera tabela, transmeton Koha.net.
“Ajo pikë konsiderohet se është pjesë e Republikës së Kosovës. Heqje tinëzare e tabelës nga Policia e Malit të Zi, pasi ka cenuar integritetin e Kosovës. Nuk ka qenë detyrë e jona që ta ruajmë atë tabelë. Sikur VV të ishte në pushtet nuk do të ndodhte një gjë e tillë. Problemi kryesor është te nota e protestës, në vend se këta ta dërgojnë. Këtë çështje është dashur ta bëjë Qeveria e Kosovës, por ajo ka heshtur karshi të gjitha shkeljeve që po ua bën Mali i Zi dhe mllefin e gjuan te opozita”, ka thënë Haxhiu, teksa ka shtuar se vendosja e flamurit kombëtar është për të simbolizuar bashkimin kombëtar.