Ish-ministrja e Drejtësisë njëherësh anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka folur në “Përballje”, për arsyet se pse kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka shkruar letër Gjykatës Speciale vetëm për Rexhep Selimin.
Haxhiu tha se Kurti përmes kësaj letre ka garantuar Gjykatën se Selimi do t’i respektojë ftesat e saj, por të njëjtën gjë nuk mund ta garantojë për të tjerët.
Anëtarja e kryesisë së LVV-së, tha se nuk mund ta dijë nëse Hashim Thaçi e Kadri Veseli do ta respektojnë këtë Gjykatë, duke qenë se përmes një komunikate, Prokuroria Speciale kishte akuzuar ata për pengim të drejtësisë.
“Albin Kurti është kryetari i LVV-së, dhe ka përgjegjësi ndaj Rexhep Selimit që është shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pra nuk mund të garantoj për Hashim Thaçin e Kadri Veselin në përputhje për atë çka shkruan letra. Zotëri Selimi do t’i përgjigjet edhe do të përballet me secilën akuzë që rëndon mbi të. Nuk do ta pengojë drejtësinë, nuk do t’i ik drejtësisë. Është një komunikatë të Prokurorisë Speciale e cila akuzon Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për pengim të drejtësisë. Dhe, Thaçi ka bërë veprime të shumta për ta penguar drejtësinë”, u shpreh Haxhiu.
E pyetur nëse kjo letër është ndikim ndaj institucioneve të drejtësisë, ajo tha se kjo nuk qëndron, pasi sipas saj, Kurti vetëm ka garantuar se Selimi do t’i respektojë ftesat e speciales.
“Kur zotit Hoti ia arrestuan Haki Rugovën, për keqpërdorime të detyrës zyrtare dolën Arbën Gashi, Arban Abrashi dhe Isa Mustafa, ishte edhe dikush tjetër në konferencë për medie ku akuzuan prokurorinë dhe i thanë “mbajë duart larg politikanëve”. Zotëri Kurti garanton që shefi i GP të Vetëvendosjes që do të respektojë ftesat e Gjykatës”, u shpreh Haxhiu në “Përballje”.
Ajo uroi që Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi të dalin të pafajshëm në Gjykatën Speciale.
“Unë besoj që nuk ka asnjë ndërhyrje në drejtësi dhe uroj që secili prej tyre të dal i pafajshëm”, theksoi Haxhiu. /Telegrafi/