Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Vendimi i KQZ-së për financimin e Listës Serbe, ‘amnisti’ për kriminalitet

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka vazhduar të jetë e zëshme ndaj ndarjes së 360 mijë eurove për Listën Serbe nga ana e KQZ-së.

Haradinaj-Stublla në një postim në “X” ka shkruar sërish se vendimi i KQZ-së për ndarjen e këtyre mjeteve për Listën Serbe, është nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës.

“Tani kur i gjithë kapaciteti diplomatik e politik i Kosovës është fokusuar për të pasur një reagim të qartë ndërkombëtar për rolin e Serbisë përmes lidershipit të Listës Serbe në agresionin e Banjskës – vendimi për dhënien e mjeteve kësaj organizate kriminale prej 360,000 euro nga KQZ është nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës, mungesë ligjshmërie e integriteti nga institucionet e përgjegjëse, si dhe “amnisti” institucionale për agresionin e Banjskës dhe vrasjen e heroit Afrim Bunjaku”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ka shtuar se nëse institucionet e vendit, specifikisht presidentja e kryeministri – vazhdojnë të heshtin këtë situatë të rrezikshme, atëherë do të duhej të mbajnë përgjegjësi për rietablimin e serishëm në pushtet të organizatës kriminale Lista serbe në komunat veriore.

Lexo po ashtu Financimi prej 360 mijë euro i Listës Serbe, Haradinaj-Stublla kërkon t’i ndalohen aktivitet dhe të shpallet organizatë terroriste

“Pres ndërhyrjen e Presidentes së vendit rreth vendimit skandaloz të KQZ-së, që përmes Kryesuesit – të ruajë integritetin e shtetit dhe të rikthejë ligjshmërinë në vendimet e KQZ-së. Poashtu, nëse vendimi është marrë përmes votimit të përfaqësuesve të partive politike në KQZ – atëherë duhet t’i mbajmë përgjegjëse edhe partitë politike – të cilat me gjasë kanë votuar pro vendimit për ndarjen e mjeteve për Listën Serbe për të mos rrezikuar fondet për partitë e tyre. (Presim publikimin e transkriptës së mbledhjes)”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ish-ministrja ka shtuar se vendimi i KQZ-së duhet të rishikohet, dhe forca e ligjit të Republikës së Kosovës duhet të ndalojë organizatën kriminale “Lista Serbe” nga aktiviteti në territorin e Kosovës, e po ashtu të parandalojë certifikimin dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore nëse nuk duam t’ua servojmë me duart tona “parathënien për aneksimin” e veriut të Kosovës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version