Site icon Telegrafi

Haradinaj: Kurti të japë llogari pse është vonuar kaq shumë me blerjen e raketave “Javelin”

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave anti-tank “Javelin”.

Në një shkrim në Facebook, tha se qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe armatim tjetër.

“Po lexoj se si Kosova paska bërë kërkesë Shteteve të Bashkuara për të blerë raketa anti-tank Javelin. Lajmi do të konsiderohej sukses sikur të mos ishte i vonuar me vite! Për informimin e opinionit publik, qysh në vitin 2018, në planin 10-vjeçar të zhvillimit të Ushtrisë së Kosovës, kanë qenë të dakorduara blerjet e sistemeve anti-tank, përfshirë edhe raketat Javelin dhe jo vetëm”, u shpreh ai.

Tutje ka hedhur akuza ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se Kosova është vonuar në blerjen e këtyre raketave.

Dhe për këtë, thotë Haradinaj, kryeministri Kurti duhet të japë llogari.

Lexo po ashtu Çfarë janë dhe si funksionojnë raketat anti-tank “Javelin” të cilat do t’i blejë Kosova

“Kjo qeveri, sot nuk mund të krekoset pse paska bërë një kërkesë për blerje të këtij sistemi anti-tank, por duhet të japë llogari pse është vonuar kaq shumë”.

“Duhet të japë përgjigje pse nuk ka përmbushur objektivat e dakorduara me planin 10-vjeçar të furnizimit të Ushtrisë së Kosovës me armatim të domosdoshëm, edhe pse i kanë tepruar dhjetëra milionë të parapara për blerje të armatimit dhe mjeteve të tjera logjistike për FSK-në”, tha Haradinaj.

Sistemi i raketave anti-tank ka hyrë në shërbim në vitin 1996, por që atëherë është avancuar vazhdimisht.

Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara gjithashtu.

Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.

Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.

Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime./Telegrafi/

Exit mobile version