Site icon Telegrafi

Haradinaj: Kosova po bëhet adresë e fuqishme ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës se sotme nëpër biznese të Komunës së Pejës, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve prodhuese.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, tha se në tregun tonë ka mundësi të bëhet edhe më shumë, andaj kërkoi nga të gjithë qytetarët e vendit, por edhe bizneset që t’i kthehen idesë që produkti ynë të zë vendin së pari në Kosovë e pastaj të dalë në tregun e jashtëm.

Me këtë rast, ai vlerësoi se politikat tatimore në Kosovë janë ndër më të mirat që i ka bota, duke theksuar se tashmë janë krijuar lehtësira në tatimin e lëndës së parë, të makinerisë prodhuese, dhe ajo që duhet bërë në Kosovë është mbushja e tregut me mallra të vendit.

Po ashtu, Haradinaj u tha bizneseve në Pejë, se qeveria i ka kushtuar kujdes investimeve nacionale për këtë trevë dhe punimet e Autostradës për Pejë edhe pse janë vonuar, do të fillojnë në maj të këtij viti, e që është ndihmesë për zhvillimin ekonomik të kësaj treve.

Lexo po ashtu Haradinaj: Bizneset pejane janë brend për tërë Kosovën

“Jeni në dijeni që Autostrada e Dukagjinit, Istog-Pejë, Deçan-Gjakovë, Rahovec-Prizren, është në fazën e leximit publik dhe të gjitha procedurat do të jenë të gatshme për shpallje të procedurave për ndërtim në muajin tetor”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se me përmbylljen e infrastrukturës vendi kthehet në një lider në rajon në infrastrukturë dhe njëkohësisht me lidhje të mira infrastrukturore me ekonomitë e rajonit.

Lexo po ashtu Kryeministri Haradinaj viziton Devolli Corporation (Foto)

Në këtë takim me përfaqësues të bizneseve, kryeministri Haradinaj foli edhe për vendosjen e taksës për produktet serbe, duke thënë se ky vendim nuk është marrë për shkak të prodhuesve vendorë, por për shkaqe politike, dhe koha kur do hiqet taksa do jetë atëherë kur Serbia t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga vendi ynë.

Lexo po ashtu Haradinaj viziton bizneset në Pejë: Synim i përbashkët është që prodhimet “Made in Kosova” të jenë prezente në tregjet botërore

Gjatë bashkëbisedimit të kryeministrit Haradinaj me përfaqësuesit e bizneseve të komunës së Pejës, u ngritën shumë tema që kanë të bëjnë me ekonominë, si çështja e punëtorëve të kualifikuar përmes hapjes së shkollave profesionale, subvencionet, çështjet tatimore, infrastruktura ligjore, rritja e kualitetit të prodhimeve “Made in Kosova” dhe tema tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Haradinaj u tha përfaqësuesve të bizneseve se ia vlen që të planifikojnë që shumë veprimtari ekonomike të cilat do t’i shpërndajnë në vende tjera, t’i koncentrojnë në vendin e tyre, për shkak se këtu do të ndodh zhvillimi dhe Kosova do të bëhet adresë e fuqishme ekonomike. /Telegrafi/

Exit mobile version