Hamasi dëshiron të “lirojë të gjithë të burgosurit palestinezë” nga Izraeli dhe “t’i japë fund provokimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin, veçanërisht në xhaminë Al-Aksa, tha të hënën një zëdhënës i grupit militant”.
Abdel-Latif al-Qanoua i tha Associated Press përmes telefonit se militantët e Hamasit po luftonin ende forcat izraelite dhe kishin kapur më shumë izraelitë të hënën në mëngjes.
“Ne jemi në një betejë të hapur për të mbrojtur popullin tonë dhe xhaminë Al-Aksa”, citohet të ketë thënë ai.
“Kjo betejë është e lidhur me çlirimin e të gjithë të burgosurve palestinezë dhe ndërprerjen e aktiviteteve të kësaj qeverie fashiste në Jerusalem”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se grupi ka kapur “një numër të madh izraelitësh” në Gaza, pa dhënë një shifër specifike.
Sipas tij, krahu ushtarak i Hamasit, al-Qassam, do t’i shpallë shifrat më vonë.
Deklaratat e tij vijnë kur luftimet midis forcave izraelite dhe grupit palestinez Hamas kanë vazhduar edhe gjatë natës, me të tjerë të vrarë të raportuar.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant thotë se ka urdhëruar një “bllokadë të plotë” në Rripin e Gazës.
“Jo energji elektrike, ushqim e as karburant”, ka thënë ai.
Urdhri i tij erdhi në kohën kur Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në Jerusalem dhe në të gjithë Izraelin, ndërsa raketat janë lëshuar nga Gaza. /Telegrafi/