Telegrafi

Hakimi alarmon skuadrat e mëdha: Nuk më ka kontaktuar askush nga Reali, krenar për interesimin e shumë klubeve

Achraf Hakimi . (Photo by Sebastian Widmann/Getty Images)

Achraf Hakimi është ende i pavendosur për të ardhmen e tij, pas huazimit dy vjeçar te Borussia Dortmund.

Mbrojtësi anësor vlerësohet jashtëzakonisht shumë në Evropë, pasi llogaritet si ndër anësorët më të mirë në qarkullim.

21-vjeçari këtë edicion me Dortmundin ka luajtur 37 ndeshje ku ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë 10 asistime.

Chelsea, Man Utd, Man City, Juventus, PSG e Bayern Munich janë skuadrat e mëdha që kanë shprehur interesim për të.

“Kujt nuk i pëlqen interesimi nga klubet e mëdha? Unë jam krenar që emri im lidhet me shumë klube”, deklaroi Hakimi.

Achraf Hakimi. (Photo by UEFA – Handout/UEFA via Getty Images)

Ditë më parë mediat spanjolle raportuan se Hakimi ka vendosur të nënshkruajë kontratë të re me Real Madridin, klub i cili e ka kartonin e lojtarit dhe e kishte huazuar për dy vite te Dortmund.

“Unë deri më tani nuk jam kontaktuar nga askush i Realit sa i përket kontratës, por imagjinoj se së shpejti do të kemi bisedime për të marrë vendim për të ardhmen”.

“Në qershor kur huazimi im te Dortmundi përfundon, unë do të marrë një vendim për të ardhmen time, nëse do të mbetem te Reali apo do ta vazhdoj diku tjetër karrierën”, deklaroi marokeni.

Krejt në fund mbrojtësi anësor tha se ka kontratë me Realin deri në vitin 2022, ndërsa vlera e tij në tregun e transferimeve sillet rreth 60 milionë euro. /Telegrafi/