Site icon Telegrafi

Hajrullahu: Vonesat në publikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Shqipëri, paqartësi për qytetarët në Kosovë

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ka folur në Euronews Albania për mënyrën se si është komentuar në Kosovë, procesi i votimit në Shqipëri.

Sipas tij për qytetarët në Kosovë, është e paqartë vonesa e rezultatit final, duke qenë se interesimi është i madh.

“Interesimi në Kosovë është shumë i madh dhe ne po e shohim te media ku punoj, që lajmet në kohë reale për zgjedhjet janë më të klikuarat. E paqartë është se kush ka fituar, pasi ne jemi të paqartë nga KQZ-ja në Shqipëri, ndërsa te ne dalin shpejt rezultatet e zgjedhjeve,” tha Hajrullahu.

Pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu se pse ndodh kjo, ai tha se ndikon sistemi zgjedhor.

“Mendoj që është te sistemi zgjedhor. Vonesa të tilla në Shqipëri janë të pa justifikueshme, pasi të gjitha partitë e shpallin veten fitues. Kjo çon në tensione te publiku,” u shpreh Muhamet Hajrullahu.

Hajrullahu tregoi dhe se si është komentuar votimi i kryeministrit Kurti në Shqipëri.

“Mendoj që z. Kurti u kritikua sot në Kuvend, që votoi në Shqipëri dhe nuk gjeti kohë të raportonte për pandeminë. Aty ka pasur dhe qytetarë të tjerë nga Kosova që kanë votuar, por nuk kuptoj se çfarë kërkojnë ata kur nuk paguajnë taksa aty,” u shpreh Hajrullahu.

Exit mobile version