Telegrafi

Gundogan e lë Ronaldon jashtë listës së tre lojtarëve më të mirë në botë

(Foto: Getty Images/Guliver)

Mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, konsideron se Lionel Messi, Kevin de Bruyne dhe Kylian Mbappe, janë aktualisht tre lojtarët më të mirë në botë, duke e lënë Cristiano Ronaldon jashtë nga kjo listë.

Në vitin e kaluar, superylli i Barcelonës e fitoi për herë të gjashtë Topin e Artë duke e lënë rivalin e tij më të madh prapa, ndërkohë që këtë sezon superylli i Juventusit ka qenë në formë fantastike duke shënuar 21 gola në 22 paraqitje në Serie A.

Edhe pse vitet kalojnë, Messi dhe Ronaldo vazhdojnë të jenë superiorë në krahasim me lojtarët tjerë dhe duket se nuk do të ndalen edhe për disa sezone.

Ilkay Gundogan (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, Gundogan mendon se Ronaldo është prapa treshes që ai ka përzgjedhur, ku krahas argjentinasit, bën pjesë bashkëlojtari i tij te City, De Bruyne dhe kampioni i botës, Mbappe, që luan te Paris Saint-Germaini.

Gjatë një sesioni pyetje dhe përgjigje në Twitter, ai i ka renditur tre lojtarët e përmendur përpara portugezit 35 vjeçar. /Telegrafi/