Legjenda e Milanit, Ruud Gullit beson se mbrojtësi i Juventusit, Matthijs de Ligt do të ndihmonte Bayern Munich dhe pretendon se Erling Haaland duhet t’i bashkohet Liverpoolit.
Bayern Munich dhe Chelsea janë ndër klubet e interesuara për nënshkrimin e holandezit De Ligt, kontrata e të cilit në Allianz Stadium skadon në qershor të 2024 dhe ai do të ketë një klauzolë lirimi prej 125 milionë eurosh të përfshirë në kontratën e tij duke filluar nga vera.
Juventusi po përpiqet të ulë faturën e pagave dhe mund të ketë nevojë ta shesë atë nëse nuk përballojnë një pagë më të lartë për 22-vjeçarin dhe legjenda holandeze, Gullit ka folur tashmë për të ardhmen e tij.
“Matthijs mësoi shumë në Juventus dhe ai do mund të jepte një kontribut shumë të mirë për Bayernin”, ka thënë fillimisht Gullit për Bild.
Ish-ylli i Holandës ndau mendimet e tij edhe për Haaland, i cili pritet të largohet nga Borussia Dortmund gjatë verës.
Klubet më të mira në botë janë lidhur me sigurimin e shërbimeve të tij dhe Gullit beson se ai duhet të zgjedhë Liverpoolin e Jurgen Kloppit.
Ruud Gullit im Interview – „Haaland zu Klopp – das passt“ https://t.co/lQFBAEhAMd #Fussball #News #Sport
— Bild FUSSBALL (@Fussball_Bild) February 2, 2022
“E shoh atë në Angli, por mendoj se ai nuk do të shkojë në Manchester United. City do të ishte i mirë për të për shkak të Pep Guardiolës”, tha fillimisht 59-vjeçari.
“Por, Jurgen Klopp dhe Liverpool gjithashtu do të ishin të mrekullueshëm. Ajo që Jurgen ka bërë me këtë klub është e pabesueshme. Thjesht duhet ta duash dhe ai është gjithmonë i uritur”.
“Kjo i përshtatet Haaland. Në Spanjë, vetëm Real Madrid është një opsion. Këto janë tre klubet që do të jenë në garë për Erling”, përfundoi legjenda holandeze. /Telegrafi/