Pep Guardiola ka folur rreth krahasimit që po bëhet për yllin e skuadrës së tij, Manchester Cityt, Kevin de Bruyne dhe yllit të Barcelonës, Lionel Messi.
Mesfushori belg po përjeton një super-sezon me ‘Qytetarët”, të cilët prijnë në kampionatin anglez, Ligën Premier.
De Bruyne është shndërruar në yllin e skuadrës, ku me golat dhe asistimet e tij shumë ndeshje po fitohen.
Sipas disa mediave, belgu ka filluar të krahasohet me yllin argjentinas, pasi sipas tyre ka arritur të bëhet lojtari kryesor i skuadrës ashtu sikurse Messi te Barcelona.
Megjithatë, Guardiola, i pyetur nga gazetarët, ka mohuar krahasimet mes tyre, duke thënë se de Bruyne është futbollistë fantastik dhe mund të bëhet ndër më të mirët, por Messi është një kampion.
“Secili trajner e ka ëndërr të rrisë nivelin e lojtarëve të tij, që të mund të krahasohen me Lionel Messin”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“De Bruyne është një futbollist fantastik, por nuk mund ta krahasojmë me një kampion si Lionel Messi, i aftë për të shënuar 60 gola në sezon”.
“Kevin mund të përmirësohet më shumë dhe të shndërrohet ndër më të mirët në botë”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/